Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se edukimi në fëmijërinë e hershme, është tregues kyç i shëndetit dhe ekonomisë së një vendi, ndërsa e ka konsideruar edhe faktor thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm.
Në lansimin e Skemës së Kuponëve “Mbështetje për pjesëmarrjen e fëmijëve të cenueshëm në shërbimet e kujdesit dhe fëmijërisë së hershme”, që financohet nga Fondi i Mësimit të Hershëm i Bankës Botërore, Nagavci ka thënë se kjo ditë shënon një etapë të rëndësishme në punën drejtë ofrimit të shërbimeve në fëmijërinë e hershme.
“Jemi bashkërisht në këtë ditë kur po shënojmë një etapë të rëndësishme në punën drejtë ofrimit të shërbimeve në fëmijërinë e hershme, e cila prek drejtpërdrejt jo vetëm fëmijët dhe i ndihmon ata në zhvillimin e tyre në të ardhmen por edhe familjet dhe shoqërinë në zhvillimin e saj. Po fillojmë një fazë të re, një risi e cila ka potencialin të ketë rezultate konkrete dhe të dukshme brenda një periudhe të shkurtër, duke u shtrirë tek të gjitha familjet e reja që kanë nevojë për mbështetje institucionale”, ka thënë Nagavci, teksa përmend edhe miratimin e Ligjit për Fëmijërinë e Hershme, të miratuar në Kuvend.