Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 miratoi dinamikën kohore të intervistimit të dëshmitarëve.
Në mbledhjen e mbajtur të martën, komisioni vendosi që të enjten të ftojë për intervistim, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati. Ndërkaq u vendos që javën e ardhshme të intervistohen përfaqësuesit e DKA-ve dhe shtëpive botuese. Propozimin që procesi i intervistimit të fillojë me ministrat e dha deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza.
“Unë propozoj që të fillojmë me propozimin e dëshmitarëve nga dita e enjte. Në ditën e enjte të kemi për intervistim si dëshmitarë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati”, tha ajo.
Këtë e mirëpriti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se Nagavci dhe Murati janë përgjegjësit kryesor mbi çka është themeluar ky komision.
“Sa herë që propozohet që me ardh në intervistim unë jam gjithmonë për. Ata janë fajtorët për të gjitha këto dyshime të ngritura për themelimin e këtij komisioni hetimor. Ata janë përgjegjësit politik dhe menaxherial për atë se pse është iniciuar ky komision hetimor…Për të përmbushur detyrimin tonë nga Kuvendi ne duhet të bëjmë listën jo veç për ministra, por për të gjithë akterët dhe qysh tash t’iu dërgohet orari atyre se kur kanë me u përgjigjur në komision”, deklaroi Haxhiu.
Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, tha se komisioni duhet të mblidhet çdo ditë për të ftuar dëshmitarët para se të përfundojë sesioni pranveror më 31 korrik.
“Të rregullojmë një orar që çdo ditë t’i marrim dëshmitarët deri më datën 30 korrik…Duhet të fillojmë çdo ditë dhe dy javët e ardhshëm duhet t’i kemi dëshmitarët në një orar më të zgjatur, pasi përndryshe në këtë mënyrë kemi me mbet gjatë”, tha ai.
Këtë e mirëpriti edhe kryesuesi i komisionit, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.