UBT News

Naftëtarëve u caktohet sërish marzha e fitimit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës ka njoftuar vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës, duke vendosur një marzhë fitimi për naftëtarët. Ministrja Rozeta Hajdari ka theksuar se ky vendim është pasojë e mbikëqyrjes të vazhdueshme të tregut dhe synon të adresojë papërshtatshmërinë në reagimin e çmimeve shitëse ndaj ndryshimeve të çmimeve furnizuese.

Vendimi përcakton dy marzha tregtare maksimale:

Marzhë tregtare maksimale e lejuar për shitjen me shumicë: 2 eurocentë për litër.

Marzhë tregtare maksimale e lejuar për shitjen me pakicë: 12 eurocentë për litër.

Ky vendim është menduar të sigurojë furnizimin e vazhdueshëm të tregut me naftë dhe të mbrojë konsumatorët, duke parandaluar praktikat antikonkurruese dhe promovuar një konkurrencë të ndershme në treg. Po ashtu, vendimi parasheh një mbikëqyrje më të shtuar inspektuese për të siguruar se naftëtarët respektojnë këto kufizime.

Çmimet e naftës dhe benzinës aktualisht variojnë nga 1.2 deri në 1.3 euro për litër. Ky vendim është një vazhdimësi e masave të ngjashme të ndërmarra në vitet e fundit për të kontrolluar dhe balancuar tregun e naftës në Kosovë./UBTNews/

Exit mobile version