UBT News

Naftëtarët kundër vendimit të MINT-it për marzhën e fitimit

Naftëtarët kanë reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin marzhës tregtare për produktet e naftës dhe intensifikimin e mbikëqyrjes së cilësisë së naftës.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve në Kosovë, Fadil Berjani përmes një shkrese drejtuar kryeministrit Kurti dhe ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hajdari, ka kërkuar që marzha e fitimit të rritet për shumicë 2.3 eurocentë për një litër, ndërsa marzha për shitjet me pakicë të ngritet 14 eurocentë për një litër.

“Pas një shqyrtimi të hollësishëm të argumenteve tona dhe të dhënave zyrtare të inflacionit, kërkojmë që të merrni në konsideratë edhe njëherë rishikimin e vendimit të mësipërm. Për ta bërë këtë, ne kërkojmë që të organizojmë një takim për të dëgjuar më shumë për shqetësimet tona dhe për të shqyrtuar detaje të tjera që mund të kenë ndikim në këtë çështje”, thuhet në shkresën e Shoqatës së Naftëtarëve.

Në këtë shkresë të siguruar nga KosovaPress, thuhet po ashtu se “Mund të konkludojmë se sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara edhe në Euro Stat, inflacioni në Kosovë për vitin 2022 ishte në vlerën prej 11.6 për qind, ndërsa për vitin 2023 ishte në vlerë 5.1 për qind, për këtë duke u bazuar dhe në rritjen enorme të shpenzimeve operative dhe pagave për punëtorë, kërkojmë që në bazë të udhëzimit të reflektohet edhe marzha tregtare që në bazë të inflacionit për vitin 2024 duhet të jetë ky çmim: Marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy-pikë-tre (2.3) eurocentë për litër, si dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 14 eurocentë për litër”, thuhet. Pas një shqyrtimi të hollësishëm të argumenteve tona dhe të dhënave zyrtare të inflacionit, kërkojmë që të merrni në konsiderim edhe një herë rishikimin e Vendimit në mësipërim”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bërë të ditur nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.

“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës. Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) euro centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) euro centë për litër”, thuhet në njoftimin e MINT.

Exit mobile version