UBT News

Muzikë, modë dhe pasion, jeta e Victoria Beckham do të shfaqet në një dokumentar në Netflix

Jeta dhe karriera e Victoria Beckham do të jenë në qendër të një dokumentari të ri nga Netflix, i cili do të eksplorojë udhëtimin e saj personal dhe profesional — që nga ditët si yll i muzikës pop me grupin Spice Girls, deri në afirmimin e saj si një stiliste e suksesshme në industrinë globale të modës.

Dokumentari, i titulluar “Victoria Beckham”, do të jetë i disponueshëm në platformën streaming nga data 9 tetor. Ai ndjek suksesin e serialit me katër pjesë të publikuar më 2023 mbi jetën e bashkëshortit, David Beckham.

Projekti do të përfshijë intervista ekskluzive me çiftin Beckham, si dhe me figura të njohura të botës së modës. Regjinë e ka marrë Nadia Hallgren, e njohur për dokumentarin “Becoming” mbi Michelle Obama.

Filmi premton të ofrojë një portret të ndjeshëm dhe të thelluar të jetës së Victoria-s, si në skenë ashtu edhe jashtë saj.

Victoria Beckham u bë e famshme në vitet ’90 si pjesë e grupit të vajzave Spice Girls, që dominoi skenën ndërkombëtare të muzikës pop nga viti 1996 deri më 2001. Pas shpërbërjes së grupit, ajo publikoi katër këngë solo dhe albumin e saj të vetëm, Victoria Beckham, në vitin 2001, i cili arriti në vendin e 10-të në top listat britanike.

Kënga e saj më e suksesshme si artiste solo ishte “Out Of Your Mind” (2000), një bashkëpunim me Dane Bowers dhe True Steppers, që arriti deri në vendin e dytë në klasifikimet muzikore në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas muzikës, Victoria u zhvendos drejt modës, duke ndërtuar markë personale që u bë sinonim me elegancën e stilin bashkëkohor. Ka marrë vlerësime të shumta për krijimet e ka arritur të sigurojë një vend të qëndrueshëm në modë. Pavarësisht rikthimeve të herëpashershme me Spice Girls — për turneun “The Return Of The Spice Girls” (2007–2008) e për ceremoninë përmbyllëse të Lojërave Olimpike në Londër më 2012, ajo zgjodhi të mos marrë pjesë në turneun e ribashkimit të 2019, për shkak të angazhimeve të saj në fushën e modës.

Spekulimet për një rikthim të ri mbeten të gjalla. Në maj, Mel B (ish-anëtare e grupit) la të kuptohej se një turne i mundshëm për 30-vjetorin e formimit të Spice Girls është ende në diskutim.

Dokumentari i ri nga Netflix pritet të ofrojë një vështrim gjithëpërfshirës në jetën e Victoria Beckham — nga fama e hershme dhe sfidat profesionale, deri tek zgjedhjet personale që e kanë formësuar rrugëtimin e saj si artiste, nënë, bashkëshorte dhe sipërmarrëse.

Exit mobile version