UBT News

Muzika klasike qetëson qentë dhe macet, tregojnë studimet

Listat muzikore për qen dhe mace janë bërë gjithnjë e më të njohura në internet, por a kanë ato vërtet efekt? Sipas disa studimeve shkencore, përgjigjja është po – sidomos kur bëhet fjalë për muzikën klasike me ritëm të ngadaltë.

Serenity Strull, redaktore fotografie në BBC, e kuptoi këtë pasi adoptoi qenin e saj Margot, një pitbull trevjeçar me probleme ankthi. Qeni kishte vështirësi të qëndronte vetëm në shtëpi dhe më parë kishte marrë trajtim me medikamente, por ato i shkaktuan efekte anësore. Pas shumë përpjekjesh me trajnerë dhe veterinerë, zgjidhja më efektive rezultoi të ishte muzika klasike instrumentale, pa ritme të forta.

Një nga rekomandimet ishte seria muzikore Through a Dog’s Ear, e krijuar posaçërisht për të reduktuar stresin te qentë. Studimi i realizuar nga krijuesit e saj, mbi më shumë se 150 qen në shtëpi dhe strehimore, tregoi se mbi 70 për qind e qenve në strehimore dhe 80 për qind e atyre në ambiente shtëpiake shfaqën më pak shenja ankthi pas dëgjimit të kompozimeve me piano dhe tempo të ngadaltë.

Edhe një studim nga Queen’s University Belfast arriti në përfundim të ngjashëm. Studiuesit krahasuan efektin e muzikës klasike, librave audio dhe heshtjes tek qentë, duke vërejtur se muzika klasike kishte efekt qetësues të dukshëm, sidomos në situata stresuese si vizitat te veterineri apo udhëtimet e gjata me makinë.

Sipas ekspertëve, më efektive janë kompozimet me 50-60 rrahje në minutë ose më pak, me strukturë të thjeshtë dhe pa elemente të theksuara perkusioni. Kjo lloj muzike lidhet me uljen e nivelit të kortizolit, hormoni që tregon stresin.

Ekspertët theksojnë se, ndonëse muzika nuk zëvendëson trajtimin profesional kur është i nevojshëm, ajo mund të jetë një mënyrë e thjeshtë, e lirë dhe pa efekte anësore për të ndihmuar kafshët shtëpiake të ndihen më të qeta.

Kafshët kanë aftësi dëgjimi shumë më të zhvilluara se njerëzit, çka shpjegon pse reagojnë ndryshe ndaj tingujve dhe muzikës. Qentë kanë rreth trefishin e diapazonit të dëgjimit të njeriut, duke perceptuar frekuenca deri në 65,000 hercë. Kjo do të thotë se ata dëgjojnë tinguj më të lartë dhe në distanca shumë më të mëdha sesa veshi i njeriut.

Macet shkojnë edhe më tej – ato mund të dallojnë frekuenca deri në 79,000 hercë. Për këtë arsye, një bori makine në fund të rrugës apo edhe zhurma e letrës së aluminit mund t’i trembë menjëherë.

Edhe pse studimet për efektin qetësues të muzikës tek macet janë të pakta, një hulumtim ka treguar lidhje interesante. Studiuesit vendosën kufje tek 12 mace të sedatuara për sterilizim dhe u lëshuan tre lloje muzike: “Torn” nga Natalie Imbruglia, “Adagio for Strings” nga Samuel Barber, si dhe “Thunderstruck” nga AC/DC. Muzika klasike rezultoi me ritmin më të ngadaltë të frymëmarrjes, rrahjet më të ulëta të zemrës dhe zgjerimin më të madh të bebëzave – të gjitha tregues të një efekti qetësues.

Ekspertët theksojnë se, për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndaj frekuencave, muzika për kafshët duhet të përshtatet posaçërisht për to. Duke hequr frekuencat irrituese dhe duke rregulluar tempot dhe harmonitë, tingulli mund të rezonojë më rehat për dëgjimin e tyre. Një nga projektet e krijuara mbi këtë bazë është Pet Acoustics, një katalog tingujsh i mbështetur nga disa studime shkencore.

Ekspertët sugjerojnë se qoftë përmes serive si Through a Dog’s Ear, kompozimeve të personalizuara apo një përzgjedhjeje të kujdesshme të muzikës klasike, gjetja e tingujve të duhur për kafshën tuaj kërkon provë dhe durim. Por për shumë pronarë, rezultatet tregojnë se muzika e përshtatshme mund të bëjë një ndryshim të madh në qetësinë dhe mirëqenien e kafshëve shtëpiake.

Foto dhe teksti: BBC

Përgatiti: A. Kryeziu

Exit mobile version