Format, ngjyrat e veçanta dhe shkëlqimi i kristaleve të bënin për vete që në momentin kur hyje në muze. Pamja unike që i karakterizonte secilën prej tyre, të vendoste në vështirësi për zgjedhjen e më të bukurës. E këto lloje të ndryshme të kristaleve dhe mineraleve, gjenden në “Muzeun e Kristaleve” në Stantërg në Mitrovicë. Ky ambient, ruan një pasuri të rrallë e të jashtëzakonshme. Në objektin sipër tokës, ai flet më së miri për vlerët pasurore të nëntokës së Kosovës e shton kureshtjen për t’i njohur ato, e ditur më shumë edhe për sakrificën që minatorët bëjnë për gërmimin e tyre.
Arbnora Pllana dhe Florinda Kelmendi, studente të vitit të dytë në Media dhe Komunikim
Brenda “Muzeut të Kristaleve” në Mitrovicë, dominon në plotëni një heshtje e s’dëgjohet asnjë pipëtimë. Lavdinë e komunikimit, e mbizotërojnë shkëlqesat xixëlluese të gurëve të shumtë, që dalin përtej xhamave të kutive ngjyrë rozë. Me plot krenari aty rrijnë gurët e çmuar, tek sundojnë ambientin e konkurrojnë fort njëri-tjetrin me bukurinë shumëngjyrëshe. Kjo bukuri, sikur, të obligon të hështësh edhe më, duke i ofruar vetës shijimin e momentit.
Për historinë e kësaj pasurie të kombëtare, krenohet më të drejtë, dhe nuk heziton të flasë për UBTNews, inxhinieri i gjeologjisë Ibrahim Musa. Ai është përgjegjës edhe për kontakte me publikun në këtë muze, i krijuar nga mesi viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, me inciativë të minatorëve të Trepçës.
“Muzeu është hapur në vitin 1964, me iniciativë të minatorëve të Trepçës. Në atë kohë, Muzeu ka qenë në pjesën e lartë të fshtatit Stantërg në menaxhim të kombinatit “Trepça”. Ndërsa në vitin 2012 kaloi në objektin e ri, këtu ku jemi sot dhe është nën menaxhim të Ministrisë të Ekonomisë në kuadër të Gjeologjisë së Kosovës”, thotë Musa.
Mbi dy mijë eksponate të shumëllojshme, mbushin muzeun. Shumica nga to, janë gurë të nxjerrë nga thellësitë e minierave të Kosovës. Një pjesë syrësh, janë nga vende tjera, të shkëmbyera mes Kosovës e shteteve të ndryshme anë e mbanë botës.
“Nëntëdhjetë për qind prej tyre janë kristale të Minierës Trepça. Po ashtu kemi bashkëpunim me miniera të tjera të Kosovës. Kristalet janë shkëmbyer edhe me shtete të ndryshme të botës si, Kina, India, Brazili, Italia, Gjermania, Maroko, etj”, tregon Musa.
Ai thotë se në minierat e Kosovës, deri më tash janë gjetur rreth 70 lloje të veçanta të kristaleve që ekspozohen në muze e që i formojnë katër mineralet kryesore: Liniti (përmban argjend dhe bizmut), Sfaliti (mineral i zinkut), Piriti dhe Pirutina (minerale të hekurit).
I gjithë ky kapital shoqëror, siç thotë Musa, për fat të keq, nuk ka kujdesin e duhur institucional. Madje, ai shton se prej krijimit të tij e deri më tash, muzeut nuk i është ofruar asnjë ndihmë financiare nga institucionet shtetërore. Musa thotë se pos nevojës për mirëmbajtjen e muzeut, financat janë të nevojshme edhe për blerjen e ndonjë kristali, natyrisht jo kristaleve unike, por mineraleve tjera që mund të shiten.
Për të pasur një pasqyrë të shtrirjes së elementeve minerale që gjenden në Minierën e Trepçës, para 40 viteve në Muzeun e Kristaleve është punuar një bllok diagram që paraqet minierën në dimensionin 3D.
“Ky është një bllok diagram që e paraqet minierën 3D, i cili është punuar para 40 viteve me dorë. Këtu janë paraqitur të gjitha elementet që gjenden në minierë, si: trupat xeherorë, korridoret, punishtet etj”, thotë Musa që bën edhe punën e ciceronit në këtë muze të rrallë. Ai tregon se në minierën e Trepçës deri më tash janë hapur mbi 200 kilometra rrugë nëpër të cilat punojnë dhe veprojnë minatorët.
“Miniera deri tani është hapur deri në 11 kate, çdo kat ka 60 metra thellësi njëri nga tjetri. Minieria është e hapur deri në 800 metra dhe ne si gjeologë e dimë që ka rezererva deri në horizontin e 15-të”, thotë Musa.
Ai tregon se muzeu ka vizitorë të shumtë, ndonëse kohëve të fundit, fluksi i tyre është më i ulët.
“Gjatë vitit 2019 muzeu u vizitua më së shumti. Rreth 8 mijë vizitorë e frekuentuan atë. Ndërsa gjatë vitit 2020/2021 për shkak të pandemisë, numri i tyre ka renë për 70%. Gjatë vitit 2022, shpresojmë dhe presim të ketë rritje të vizitorëve”, thotë Musa.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i shohin nga afër dhe të njihen me pasuritë që nxirren nga Trepça dhe minierat tjera të Kosovës, mund ta vizitojnë Muzeun e Kristaleve çdo ditë pune, ku do të shoqërohen edhe nga ciceroni që pa përtesë e me simpati të vërejtshme, flet për vlerat e kristaleve që mban ky ambient i veçantë socio-kulturor.
Bukuritë e kristaleve që të bënin për vete që në momentin e parë, të ndjeknin në çdo moment të të qëndruarit në muze. Ndërsa me largimin nga ky vend, shkëlqimi i kristaleve ta shtonte dëshirën ta kishe në pronësi secilën prej tyre./UBTNews/