UBT News

Mustafa: Vuçiq ndale poshtërimin

Ish-komandati i UÇK-së, Rrustem Mustafa i bëri thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që të lirojë tre policët e Kosovës që janë rrëmbyer nga forcat serbe në veri.

Mustafa përmes një shkrimi të publikuar së fundmi në Facebook, i kërkoi Vuçiqit që ta ndalë poshtërimin, derisa theksoi se populli shqiptar dëshiron dhe ka interesa të jetojë i lirë.

“Ndale poshtrimin President!

Vuçiq: “Tre policët po hanë torte e rrush, kërkesën e Orbanit do ta shqyrtojmë me kujdes…”

Ne i themi, kujdesu dhe ruaje rrushin dhe torten për vete, djemtë që ke rrëmbyer lejoj të lirë.

Rrëmbimet, burgosjet, trajtimet jo njerëzore që keni bërë në të kaluarën kanë prodhuar forcën tek populli dhe jemi të lirë!

Mos provokoni mision kundër jush, populli shqiptarë dëshiron dhe ka interesa të jetojmë në qetësi, kurr më të nënshtruar nga kushdo që synon nënshtrimin…

Duam të jetojmë në paqe, mos u ngatërroni me dikë që ju e njihni mirë!”, shkroi Mustafa në Facebook.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban i është lutur dje presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që të lirojë tre policët e Kosovës. Ai këtë lutje e ka bërë gjatë konferencës së përbashkët në përfundim të vizitës së tij në Beograd. Vuçiq, nga an tjetër, është habitur me kërkesën publike të hungarezit.

Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe./KosovaPress

Exit mobile version