UBT News

Mustafa vizitoi kampin ushtarak Bondsteel

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa vizitoi kampin ushtarak Bondsteel ku bashkëbisedoi me ushtarët në këtë kamp.

Gjatë këtij takimi, ushtarët amerikan patën rastin të njoftohen me zhvillimet në sektorin e bujqësisë, punët që janë kryer deri tani, si dhe për planet e së ardhmes në këtë sektor.

Mustafa informoi të pranishmit se si ai i është qasur sfidave që i ka hasur në bujqësi.

“Për një periudhë të shkurtër kohore arrita ta stabilizoj financiarisht Ministrinë e Bujqësisë, duke e eliminuar borxhin që kishte ministria ndaj fermerëve dhe njëkohësisht bëra që fermerët të kenë mjete të sigurta financiare për t’i kryer obligimet që kanë”, u shpreh ministri Mustafa, duke shtuar se sfiduese ka qenë periudha e mbylljes shkaku i pandemisë Covid-19, të cilës Ministria iu kundëpërgjigj me pagesë dy herë të subvencioneve.

Ministri Mustafa, i ftuar nga komanda në Bondsteel, foli edhe rreth institucioneve dhe popullsisë në Kosovë, që t’i familiarizojë miqtë amerikanë me Republikën e Kosovës.

Sipas komunikatës së MBPZhR, qëllim tjetër i takimit ishte edhe zhvillimi dhe thellimi i miqësisë dhe partneritetit mes Kosovës dhe ShBA-ve.

Exit mobile version