UBT News

Mustafa s’i bie pishman për prishjen e koalicionit me VV-në: Do ta prishja edhe sot

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se do të ishte i lehtësuar po ta dinte se pse qytetarët e kanë ndëshkuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje.

Mustafa në Facebook mes tjerash u shpreh se nuk është fare pishman që LDK-ja e prishi raportin me Vetëvendosjen, meqë sipas tij njëjtë do të vepronte edhe sot.

“Se është ndëshkuar, pse e kemi prishur koalicionin me VV-në, unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot. Ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK ka zgjedhur partneritetin me SHBA-të. Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore. LDK, qytetarëve ua ka dhënë besën se do të implementojë vlerat e saj fundamentale në politikat qeverisëse, nuk ia ka dhënë besën se do të martohet politikisht me Lëvizjen Vetëvendosje. Njerëzit që kanë kaluar në Vetëvendosje, nuk kanë treguar asnjëherë se çfarë ata i ofrojnë këtij vendi në aspektin ekonomik, zhvillimor, të partneritetit euroatlantik, por veç se ia kanë dhënë besën vetëvendosjes. Nuk kanë ofruar asgjë përpos njëzet fjalive me kritika. Sepse nuk dinë më shumë. Të tjerët që sot në studio televizive thonë se nuk është dëgjuar zëri i tyre, nuk e thonë të vërtetën, sepse nuk kanë pasur asnjë zë të artikuluar përveq pozicionimit abstenues e abstenimi është mungesë e qëndrimit, blerje kohe, në stilin ta shohim si del”, shkroi ai mes tjerash.

Kryetari në dorëheqje i LDK-së ka deklaruar se për dallim prej bashkëpunëtorëve të tij, nuk e ka uruar Vetëvendosjen për fitoren, e cila në këto zgjedhje sipas rezultateve preliminare ka dalë e para.

“Jo se e urrej por se nuk ia dua vendit tim të sundohet nga asnjë parti politike; se nuk gjej arsye të uroj votuesit e deridjeshëm të LDK-së se kanë kaluar në Vetëvendosje, sepse LDK nuk heq dorë nga ata. Sepse LDK nuk dorëzohet. Do të kthehet edhe më e fortë.  Unë kam besim të plotë në njerëzit me të cilët kam punuar, në punën time të pastër që e kam bërë në LDK dhe në të gjitha detyrat tjera. Jam i bindur se dëmtimi i LDK-së me votat e fundit është krejtësisht i padrejtë dhe rezultat i propagandës populliste”, shkroi ai mes tjerash./UBTNews

Exit mobile version