Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se qeveria po heziton t’i fal gjobat e pandemisë për qytetarët por pa menduar dy herë ka paguar rrymën në katër komunat në veri, raporton Gazeta Express.
“Si është e mundur që kjo qeveri pa menduar dy herë paguan 11 milionë euro për rrymën e papaguar në katër komunat në veri kurse pa menduar dy herë heziton të falë gjobat e pandemisë për 34 komunat e tjera të Kosovës. Ministri sigurisht deklaron që faturat në veri janë falur nga Kuvendi dhe jo nga qeveria, shpresoj që në këtë seancë Ministri të mos bëjë këso shaka të lezetshme”, tha ai.
Tutje, Mustafa u shpreh se qeveria duhet të falë gjobat për bizneset dhe ato të pandemisë për qytetarët.
“Kompanitë dhe qytetarët po përballen me mbyllje të kompanive, rritje të çmimeve dhe humbje të vendeve të punës, prandaj në këto rrethana qeveria duhet që sa më parë të falë gjobat e bizneseve dhe gjobat e pandemisë për qytetarët, kurse ata që kanë paguar këto gjoba të rimbursohen financiarisht”, ka thënë Mustafa.