Lidhja Demokratike e Kosovës sot shënon 31-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar të gjitha strukturat e LDK-së, anëtarët, aktivistët dhe simpatizantët.
Mustafa me anë të një komunikate për media thotë se themelimi i LDK-së shënon një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin tonë.
Më tej ai theksoi se LDK-ja së bashku me kuadrot më të mirë, po mundohet që të japë maksimumin për ta tejkaluar edhe këtë gjendje.
“LDK-ja aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe do të jetë përgjegjëse dhe e përkushtuar që t’i kryej detyrat kushtetuese deri në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. LDK pati guximin dhe vetëdijen për të dalë në ballë të proceseve të mëdha, në kohët më të vështira, prandaj jam shumë i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme në bashkëpunim me të gjitha strukturat elektorati i LDK-së do të angazhohet për rezultatin më të suksesshëm. Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetar”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK-ja i përkujton dhe u është përherë mirënjohëse të gjithë veprimtarëve të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealin e tyre për një shtet të lirë dhe demokratik.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë formacioni kryesor politik në vend. Të gjitha interesat e shtetit të Kosovës do të jenë prioriteti kryesor i politikëbërjes së LDK-së, prandaj krejt në fund urime të gjithë anëtarësisë dhe qytetarëve të Kosovës”, përfundon njoftimi i LDK-së./UBTNews