Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj kritikave që i janë bërë ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Ndonëse nuk e ka përmendur me emër, duket që Mustafa ka kritikuar edhe konferencën ndërkombëtare që LDK-ja ka mbajtur për Ibrahim Rugovën.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në konferencën në fjalë nuk kanë folur ata që është dashur të flasin.
“25 vjetorin e çlirimit të Kosovës disa e shfrytëzuan për ta sulmuar dhe denigruar figurën presidentit Ibrahim Rugova, njeriut i cili i vuri themelet e çlirimit dhe të pavarësisë. Për Rugovën nuk folën ata që do duhej të flisnin. Disa kanë vdekur, disa nuk u ftuan të flasin, disa nuk janë aty ku është mikrofoni e disa po bëjnë politika ditore me emrin dhe figurën e tij për interes të tyre. Rugova nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë e mbron dhe e madhëron vepra e tij. Nuk shkruhet historia duke e cilësuar Rugovën si paranojak, sepse paranojakët nuk krijojnë vepra kombëtare, siç i krijoi Rugova”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka mohuar pretendimet e deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, i cili ka thënë se Rugova gjatë luftës kishte kërkua azil në Gjermani.
“Aq më pak nuk thuhet e vërteta nëse ia mvesh dikush, që nuk e ka dashur Rugovën asnjëherë, që ai ka kërkuar azil në Gjermani. Unë kam qenë në Bon, si anëtar i qeverisë në ekzil, kur ka ardhur Rugova me familje të ngushtë nga Italia në maj të vitit 1999. Qeveria jonë ka qenë e interesuar që Rugova të qëndrojë aty për një kohë dhe të punojmë së bashku deri sa të kthehemi në Kosovë. Që qeveria e Kosovës (jo ajo gjermane) ti mbulojë shpenzimet e qëndrimit dhe të aktivitetit të tij. Askush nuk e ka menduar as përmendur azilin. Së fundmi azil nuk kishim kërkuar asnjëri nga ne që qëndruam 9 vite në ekzil, (as dr. Bujar Bukoshi, as dr. Muhamet Bicaj, as Halit Muharemi, as unë). Pas disa ditësh Presidenti Rugova u kthye në Itali. Qeveria dhe populli italian u treguan atëbotë mikpritës dhe më të kujdesshëm ndaj Rugovës”, ka shkruar ai.