Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i ka quajtur ‘mësymje’ ndaj kryeministrit Hoti tri interpelancat e sotme në Kuvendin e Kosovës.
Mustafa me anë të një shkrimi në Facebook u shpreh se ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të, sot janë me Kryeministrin.
“Sot, tri interpelanca njëpasnjë në Kuvendin e Kosovës. Tri mësymje kundër Kryeministrit Hoti. Dy, kundër marrëveshjes dhe bashkëpunimit me SHBA-të dhe një, pse është shprehur se duhet të zbatohet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për respektimin e Ligjit të miratuar me 2/3 e deputetëve, i cili ka krijuar detyrime ndërkombëtare të Kosovës. Ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të, sot janë me Kryeministrin. Ata që ndajnë bindjen se Kosova duhet tu përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Ligjit, si dhe partneritetit me BE-në, sot mbështesin sjelljen parimore dhe të përgjegjshme të Kryeministrit dhe Qeverisë Hoti!”, shkroi Mustafa në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot do të jetë në interpelancë para deputetëve në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, si dhe në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./UBTNews