Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK-ja rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Mustafa ka demantuar deklaratat e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili ditë më parë ka deklaruar se Grenelli i ka dhënë LDK-së ultimatum për ta rrëzuar Qeverinë Kurti në mars të vitit të kaluar. Sipas Mustafës, Kurti e rrëzoi vetë Qeverinë me shkeljen e marrëveshjes së koalicionit.
“z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate. z. Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën (jo si emër i përveçëm) ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për t’i dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut. I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë, por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në. Z. Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria”, shkroi Mustafa në Facebook.
Ai shkroi më tej se është i habitur nga interpretimet e tilla të ditëve të fundit./UBTNews