Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë me Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos Presidentin Donald Trump për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes.
“Po ashtu, përgëzoj Kryeminstrin Hoti dhe Qeverinë e Kosovës për këtë arritje të madhe në interes të Repblikës së Kosovës. Kryeminstri dhe Qeveria, me maturi e përkushtim , në pak javë, arritën ta ribëjnë Kosovën partner të besueshëm të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, prandaj ky Kryeministër dhe Qeveria e tij meritojnë mbështetje në rrugëtimin që kanë nisur”, ka shkruar Mustafa.
Ndryshe, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë.
Tashmë janë publikuar fotografi nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjeve, ku shihet presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuciq.
Gazeta Express dhe T7 ka raportuar se marrëveshjet janë nënshkruar në mes të SHBA’së dhe të dyja shteteve si marrëveshje të veçanta.
Deri më tani nuk është bërë e ditur përmbajtja e marrëveshjeve, mirëpo, karakteri i tyre është ekonomik.
Sic ka raportuar Gazeta, bëhet fjalë për marrëveshje që shkojnë në investime deri në 13 miliardë dollarë për Kosovën dhe Serbinë./Express