Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Shqipëria ka qenë krah Kosovës në rrugën e çlirimit dhe shtetndërtimit.
Në një postim në Facebook shkroi se deklaratat që dikush nga Shqipëria pas çlirimit ka qenë kundër UÇK-së janë të pavërteta dhe nuk u shërbejnë atyre që janë në Hagë.
“E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë”, shkroi ai mes tjerash.
Mustafa theksoi se Specialen nuk e ka bërë Lulzim Basha e as Sali Berisha, por për të vendosi Kuvendi i Kosovës.
“Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha, Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte. Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike”, shkroi ai mes tjerash në profilin e tij në Facebook.
Më tej Mustafa u shpreh se baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar./UBTNews