UBT News

Musmurati fajëson Qeverinë për vonesën e kredisë 74 milionë euro për pastrimin e Prishtinës

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besiana Musmurati, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për vonesat në sigurimin e mjeteve për kompaninë rajonale “Pastrimi”.

Në një konferencë për media të martën, Musmurati ka deklaruar se kompania tash e tre vjet është në pritje të një marrëveshjeje për kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim, në vlerë prej 74 milionë eurosh, e cila do të mundësonte blerjen e 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve.

Sipas saj, marrëveshja nuk është nënshkruar nga Ministria e Financave, përkatësisht ministri Hekuran Murati.

Musmurati ka paraqitur historikun e projektit, duke thënë se marrëveshja e parë ishte arritur në vitin 2023 për një kredi prej 20 milionë eurosh, të cilën e ka cilësuar si shumë të favorshme për Kosovën.

Ajo ka bërë të ditur se më 7 shtator 2024, Ministria e Financave ishte njoftuar për miratimin e projektit nga Qeveria gjermane, në vlerë prej 24.1 milionë eurosh, si dhe për 50 milionë euro të tjera për fazën e dytë.

Sipas Musmuratit, më 26 shtator 2024, Qeverisë së Kosovës i ishte dërguar draft-marrëveshja për grantin dhe kredinë e butë, por ajo ende nuk është nënshkruar.

Ajo ka theksuar se projekti është i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave në Prishtinë dhe ka kërkuar përgjigje nga Qeveria dhe Ministria e Financave për arsyet e vonesës.

“Pse po e bllokoni pastrimin e Prishtinës?”, ka pyetur Musmurati, duke thënë se qytetarët po përballen me pasojat e mosnënshkrimit të marrëveshjes.

Deri më tani, në deklaratat e paraqitura në konferencë, nuk është përfshirë qëndrimi i Ministrisë së Financave lidhur me akuzat e Musmuratit./A.K/

Exit mobile version