Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, sot në seancën e Kuvendit ngriti shqetësimin se vetëm në vitin 2023, Forcën e Sigurisë së Kosovës e kanë braktisur 17 pjesëtarë.
Për këtë, ajo kërkoi nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe stafi i tij që ose të reflektojnë politikat e tyre ose të dorëzojnë postet.
“Sot kam dalë të thërras në përgjegjësi qeverinë e Kosovës konkretisht minsitrin e mbrojtjes për rritjen e numrit të lartë të demilitarizimit të FSK-së…dua të përmend se vetëm në vitin 2023 apo vetëm për 46 ditë FSK e kanë braktisur 17 pjesëtarë që bartin grada nga më e ulëta deri tek grada major. Ministri Mehaj dhe stafi menaxhues duhet ose të reflektojnë me politika e tyre ose të dorëzojnë postet që mbajnë sepse performanca e tyre është zero dhe me tendencë shkatërrimin e FSK-së”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së kërkoi të dijë edhe rreth Fondit për Siguri, për çka tha se kanë kaluar 1 vjet nga themelimi i tij dhe askush nuk i di rezultatet e tij.