Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi e quan të gabuar letrën e shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është në përgatitje të draft-statutit për asociacionin.
Në një prononcim për media, Musliu-Shoshi ka thënë se kjo letër përveç se nuk është adresuar në vendin e duhur, përmban gabim edhe në përmbajtje. Ajo potencoi se një draft-statut të tillë nuk e kanë kërkuar aleatët ndërkombëtarë, pasi sipas saj nuk është e dakorduar në marrëveshjen e Ohrit.
“Adresimi është gabim, sepse i është adresuar presidentit apo kryetarit të Asamblesë Parlamentare dhe Asambleja Parlamentare tashmë e ka dhënë qëndrimin e saj me votë në sesion. Tani ky është vetëm një opinion që i është dorëzuar Komitetit të Ministrave, mirëpo nuk është opinion i obligueshëm për mendim në komitet të kryeministrave. Por, a e ka bërë këtë huq nga vetëdija apo mos dija ministrja Gërvalla, këtë nuk e di dhe nuk jam kompetente për ta thënë. Por, që ka bërë gabim në adresim – kjo është e sigurt”, tha Shoshi.
Ndër të tjera deputetja e PDK-së këtë veprim e sheh si “shfajësim për konsum të brendshëm dhe fajësim për konsum të jashtëm”. Ajo thotë se dërgimi i kësaj letre është një hap i rrezikshëm për aleatët tanë dhe se mund të acarojë edhe më tej marrëdhëniet.
“Aleatët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar që hapat konkretë apo të ardhshëm të merren me draft-statutin e asociacionit që kanë pranuar në marrëveshjen e Ohrit, me të cilën janë dakorduar. Pra, kjo letër e dërguar është po ashtu edhe në përmbajtje gabim. Sepse një draft-statut të tillë nuk e kanë kërkuar aleatët tanë ndërkombëtarë, sepse nuk është e dakorduar në marrëveshjen ndërkombëtare, në këtë rast që është në marrëveshjen e Ohrit. Prandaj, e vlerësoj që edhe përmbajtja e letrës është gabim…Këtë e shoh më shumë si shfajësim për konsum të brendshëm dhe në fajësim për konsum të jashtëm, pra të shfajësohen brenda për brenda duke thënë se ‘ne e dërguam vendimin dhe dërguam një draft-statut. Mirëpo, unë vlerësoj që për aleatët tanë ky hap është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka mundësi që të acarojë edhe më tej marrëdhëniet që ka Republika e Kosovës”, tha Musliu-Shoshi.
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla tha sot se draft-statuti për asociacionin do të përmbushte obligimet ndërkombëtare dhe do të respektonte Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas saj, pavarësisht si do të pranohet kjo ofertë e palës kosovare, do të procedohet tutje për hartimin e draftit të asociacionit dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Gërvallës kjo letër zotimi nuk është e vonuar pasi po të konsideronin si të tillë do të dërgonin më herët.
Zëvendësministri i MPDJ-së, Kreshnik Ahmeti, tha se nëse në mbledhjen e nesërme të ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Evropës s’ka gatishmëri për të përfshirë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, i njëjti mund të vendosë një datë të radhës se kur mund të bëhet një gjë e tillë.
Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se nuk pret që Kosova të jetë në agjendë më 17 maj, pasi sipas tij, letra ka ardhur me vonesë.
Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave. Disa vende si Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Kosova hapa konkretë drejt asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike të votojnë pro anëtarësimit të saj në KiE.