Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu Shoshi ka ftuar prokurorinë që të hetojë “zhdukjen e dokumenteve të bashkatdhetarëve”. Sipas saj, gjatë këtij muaji kanë humbur 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe katër vendime për shtetësi të mërgimtarëve në postën diplomatike të Republikës së Kosovës.
Gjatë seancës së sotme plenare, deputetja e PDK-së ka thënë se gjatë këtij muaji, po ashtu, kanë dhënë dorëheqje 10 pjesëtarë të FSK-së.
“Ky pushtet i ka sjellur në ditën që vetëm një fakt dua ta ndajë me ju, 10 pjesëtarë të FSK-së kanë dhënë dorëheqje vetëm në muajin tetor. Pra, nga data 1 deri sot që jemi më 31 tetor, 10 pjesëtarë të FSK-së kanë dhënë dorëheqje”, tha Musliu-Shoshi.
Përveç kësaj, ajo foli edhe për “aferat dhe skandalet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës”. Ajo i ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë të merren me këtë çështje.
“Nga data 2 tetor 2024 kanë humbur 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe katër vendime për shtetësi të mërgimtarëve tanë në postën diplomatike të Republikës së Kosovës. Dhe ky nuk është rasti i parë që bashkatdhetarët tanë përballen me probleme të tilla, me pajisje të dokumenteve personale. Të ri sjellim në vëmendje vonesat e shumta për shkak të mungesës së materialit, kanë qenë mjaft evidente edhe në fillim të këtij mandati qeveritar të cilat kanë shkaktuar probleme të shumta të mërgimtarëve tanë, anë e mbanë botës. Duke pamundësuar edhe ardhjen e tyre në vendlindje për disa muaj. Këto vonesa kishin vetëm një qëllim dhe qëllimi i vetëm është aplikimin e kontratave një-burimore nga kjo ministre e pa përgjegjshme. Për të qenë më e qartë me ju, kontratat një-burimore janë hajni”, deklaroi Musliu-Shoshi.
Deputetja e PDK-së shtoi se humbja e dokumenteve personale rrezikon keqpërdorimin e identitetit të qytetarëve nga diaspora. Sipas saj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka adresuar kërkesën për të shpallur të pavlefshëm të rreth 500 dokumenteve të mërgatës.
“Sot me urgjencë kërkojmë llogaridhënie nga kjo qeveri, pse dhe si u zhdukën dokumentet personale të bashkatdhetarëve tanë? Ku janë këto dokumente? Pse është anuluar kërkesa për shpallje të pavlefshme të këtyre dokumenteve? Duke ditur rrezikun për dëmin që mund të ju shkaktohet mërgimtarëve tanë, me vjedhje të identitetit, ne me ngulm ftojmë prokurorinë që të hetojë këtë rast”, shtoi ajo.