Serbia do të mbulojë ndërtimin e një baze ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovës, kinse është ndërtesë për trajtimin e mineraleve në atë pjesë, por pamjet nga droni kanë konfirmuar burimin se bëhet fjalë për ndërtimin e zonës ushtarake.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se e vetmja pikë ishte informimi për ngjarjet që kanë ndodhur më 24 shtator dhe më pas në veri.
“Dua të theksoj me bindje të plotë se AKI, bashkë me forcat e Policisë së Kosovës kanë qenë në krye të detyrës gjatë gjithë kohës dhe në kohë reale iu janë përgjigjur çdo provokimi të situatës në veri, prandaj dua t’i falënderoj për punën dhe angazhimin e tyre që kanë bërë në terren dhe me këtë rast t’i ofroj mbështetjen e time të plot si kryetare e komisionit dhe të gjithë komisionit parlamentar”, tha ajo duke shtuar se janë të gjithë unik kur bëhet fjalë për sigurinë e Kosovës dhe në asnjë rrethanë mos ta dëmtojnë punën e tyre në terren.
“E kemi të qartë se grupi terroristë i mbështetur nga shteti serb kishte pretendime territoriale përmes veprimeve hibride, agresive dhe sabotuese. Po ashtu, kishte për pretendim mbajtjen e situatën nën tension të vazhdueshëm të ndërlidhur me interesat serbo-ruse në rajon dhe të krijonte destabilitet. Gjithashtu, qëllim kishte edhe dëmtimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtarë përmes dezinformatave dhe propagandës që e bën në vazhdimësi. Anëtarët e AKI-së edhe një herë e kanë dëshmuar profesionalizmin e tyre. Prandaj në bazë të dhënave dhe fakteve të prezantuara grupi terroristë është nisur në mesnate duke shfrytëzuar rrugët ilegale në afërsi të pikës kufitare Izvor, e cila është pika më e afërt me qytetin e Novi Pazarit në Serbi dhe pika më e afërt me vijën kufitare në Banjskë në Komuna e Zveçanit në Kosovë”, tha ajo.
Musliu dha detaje edhe për rritjet e pranisë së ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën.
“Nga pamjet e siguruara me dronë të datës 27.09 është arritur të konfirmohet informata se në zonën e njohur si Rogazin, në afërsi të Izvorit, është duke u ndërtuar një bazë ushtarake e forcave të armatosura serbe me mbules nga ana serbe kinse në atë pjesë po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës, por pamjet me dronë e kanë konfirmuar burimet dhe tashmë është e qartë se atje është duke u bërë një zonë ushtarake serbe, pra në afërsi të kufirit me Kosovën…ajo çka vlen të theksohet është se gjendja e sigurisë në vend është e brishtë dhe e tensionuar, prandaj secilit prej neve na mbetet që të jemi të kujdesshëm ndaj çdo provokimi të mundshëm”, tha ajo.
Sipas saj, shteti i Kosovës ka qenë i koordinuar me partnerët ndërkombëtar në të gjitha veprimet që ka ndërmarrë gjatë këtyre ditëve në veri.