Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar pas ngjarjeve të sotme në veri të vendit, ku është raportuar për shpërthime e të shtëna me armë zjarri.
Musliu ka potencuar se kjo është “vepra e Aleksandar Vuçiqit – të përkëdhelurit të Evropës!”.
“Strukturat e tij kriminale të quajtura si “mbrojtja civile” e të ushtruara në Qendrën e Spiunazhit në Nish, kanë sulmuar sot zyrtarët e shtetit në disa lokacione në veriun e Republiës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Veprimet e fundit në veri, mendohet se po bëhen me qëllim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për të tërhequr vëmendjen nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor, që është mbajtur sot në Tiranë.
Ndryshe, dy shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar pasditen e sotme në veri të vendit, ndërsa, lokacioni i saktë ende nuk dihet, as nëse ka pasur ndonjë të lënduar. Kjo besohet se ka të bëjë me tentativat e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor për të mbërritur te zyrat e KQZ në komunat veriore të vendit.
Policia e Kosovës së bashku me zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të katër komunave veriore, sot kanë shkuar në zyrat komunale. Kjo ka qenë e paralajmëruar në mbledhjen e së hënës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ishte bërë e ditur se ende nuk kanë pranuar plan operativ nga Policia e Kosovës.