Përmbyllja e vizitës së drejtorit të CIA-s në rajon me vizitën në Kosovë, tregon qartë se Kosova është partnere e pazëvendësueshme e SHBA-së jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë, vlerëson drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu.Përmes një shkrimi në Facebook, Musliu nënvizon se SHBA ka ndihmuar shumë institucione të Kosovës, derisa shton se mund të thuhet se CIA “ka rritur në duart e veta” AKI-në.
Theks të veçantë ai i jep vizitës dyditore të shefit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës. William Burns.
“William Burns, si kreu i agjencisë më të fuqishme në botë, përveç se mbylli vizitën në rajon me Kosovën, mbajti takime gjatë dy ditëve! SHBA ka ndihmuar shumë institucione të Kosovës që të rriten, por CIA pothuajse “ka rritur në duart e veta” AKI-në! Përveç AKI-së, i gjithë komuniteti i inteligjencës së Kosovës, edhe Policia e edhe FSK, ka marrë praktikat më të mira në luftën e përditshme me sfidat!… Kosova është aleat i palëkundur i SHBA. AKI aleat i palëkundur i CIA-s”, shkruan ai.
Ai ka përmendur edhe sfidat me të cilat është përballur dhe vazhdon të ballafaqohet Perëndimi.
“Sfidat e dy dekadave të fundit kanë qenë të përbashkëta me gjithë Perëndimin! Fillimisht me organizatat terroriste të Lindjes së Mesme, e tash e një dekadë – e keqja e madhe e botës moderne Vladimir Putini dhe aleatët e tij”, shkruan Musliu ndërsa shprehet optimist se “së bashku do të tejkalohen të gjitha sfidat.”
Shefi i CIA-s, William Burns ka vizituar rajonin, ku takime ka zhvilluar në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi ndërsa vizitën e tij e ka përmbyllur me Kosovën, ku takime ka zhvilluar dy ditë radhazi.
Të enjten, ai është takuar me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti. Vizitën e ka përmbyllur të premten, kur edhe është takuar me kryeministrin Albin Kurti.
Nga takimet nuk ka pasur deklarata, porse krerët e vendit, pas takimeve, kanë theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira SHBA-Kosovë.
Presidentja Osmani, marrëdhëniet e mira me SHBA-në i ka quajtur garanci, ndërsa Kurti ka thënë se vizita e shefit të CIA-s është dëshmi e marrëdhënieve të forta midis dy shteteve./UBTNews/