Në komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim Dhe Zhvillim pati përplasje verbale mes deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Këtë të fundit deputetja e ka quajtur rrugaç e më pas ka hedhur një gotë ujë ndaj ministrit Peci.
Pas këtij incidenti, deputetja Musliu në konferencë për medie ka paralajmëruar padi ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
“Në komision në mungesë të përgjigjeve ai fillojë të fyejë dhe akuzojë duke më bërë pjesë të krimit të organizuar për këtë unë do të ngre padi ndaj ministrit Peci dhe do ta mbrojë dinjitetin tim deri në pafundësi”, tha ajo.
Musliu thotë se nga 25 nëntori kërkoi sqarim nga ministri Peci për të ditur se çka ka ndodhur me thirrjen për grante.
“Që nga 25 nëntor kam kërkuar sqarim nga ministri Peci për të ditur se çka ka ndodhur me thirrjen për grante. Në seancë kur e kam pyet ministrin se çka ka ndodh ai ka thënë se kjo thirrje është anuluar. Pyetje i kam bërë pse nuk janë njoftuar bujqit e ka anashkaluar pyetjen dhe nuk ka dhënë përgjigje. Kam kërkuar të dërgoj me shkrim vendimin e anulimit”, tha Musliu.