CEO i Teslas, Elon Musk ka përfunduar udhëtimin e tij të parë në Kinë pas tri vjetësh. Atje takoi një sërë zyrtarësh qeveritarë dhe falënderoi punëtorët në fabrikën më të madhe të kompanisë në Shangai.
Avioni privat i Musk u ngrit nga aeroporti Hongqiao i Shangait të enjten, duke mbyllur udhëtimin 48 orësh të miliarderit, sipas Variflight, një aplikacion kinez për të dhënat e fluturimeve. Ishte hera e parë që Musk vizitoi këtë vend që nga janari i vitit 2020.
Para se të largohej, Musk takoi Chen Jining, shefin e Partisë Komuniste të Shangait. Chen inkurajoi Teslan (TSLA) që të rrisë investimet dhe operacionet e saj në Shangai dhe “të sjellë më shumë produkte, teknologji dhe shërbime të reja” në qytet.
Musk vlerësoi suksesin e Teslas në Shangai, fabrikë kjo që u hap në vitin 2019, dhe tha se shpreson se mund të bashkëpunojnë edhe në fusha të tjera.
Miliarderi mes tjerash tha: “Unë u them njerëzve në mbarë botën se makinat që ne prodhojmë këtu nuk janë vetëm prodhimi më efikas, por edhe cilësia më e lartë”./UBTNews/