Pas prezantimit të modelit Grok 4 dhe periudhës së vështirë që kaloi chatbot-i i tij, kompania xAI e Elon Musk po përpiqet të ecë përpara me një përditësim të ri: Grok 4 Fast.
Sipas njoftimit, Grok 4 Fast ofron të njëjtën performancë si Grok 4, por duke përdorur mesatarisht 40% më pak tokena të të menduarit.
Përveç shpejtësisë më të madhe, modeli ka edhe një kosto 98% më të ulët në realizimin e detyrave, qoftë për shkrimin e kodit apo për shfletimin e internetit me përgjigje të menjëhershme.
Ngjashëm me GPT-5 të OpenAI, që lëviz mes një modeli efikas e modelit të arsyetimit, Grok 4 funksionon mbi një arkitekturë të unifikuar.
Ai mund të kalojë nga përpunimi i kërkesave komplekse në mënyrë të avancuar drejt ofrimit të përgjigjeve më të thjeshta e më të shpejta, sipas rastit. Në testet krahasuese mes modeleve të AI-së, Grok 4 Fast u rendit i pari në detyrat e kërkimit dhe i teti në ato të bazuara në tekst.
Modeli i ri është i disponueshëm për të gjithë përdoruesit – përfshirë edhe ata falas – në web, iOS dhe Android.
Megjithatë, me konkurrencën gjithnjë e më të ashpër në fushën e modeleve të mëdha gjuhësore, pritet që edhe gjigantë si Google të sjellin një version të ri të Gemini, ose Anthropic të publikojë një përditësim të Claude Opus, pas versionit 4.1.