Miliarderi Elon Musk thotë se nuk do të lejojë teoricienin e konspiracionit Alex Jones të kthehet në platformën Twitter.
Gjatë fundjavës llogaritë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, reperit Ye (ish-Kanye West) dhe influencuesit Andrew Tate u riaktivizuan të gjitha.
Musk iu përgjigj pyetjeve në Twitter nëse Jones do të jetë personi i radhës llogaria e të cilit do të rikthehet në platformë. Ai shkroi në Twitter se fëmija i tij ka vdekur dhe se “nuk ka mëshirë” për këdo “që do të përdorte vdekjen e fëmijëve për përfitime, politikë apo famë”. Nevada Alexander Musk vdiq vetëm dhjetë ditë pas lindjes, në vitin 2002. Musk tha se foshnja i vdiq në krahë dhe ai “ndjeu rrahjen e fundit të zemrës”.
Jones u detyrua të paguajë 1.44 miliard dollarë dëmshpërblim pasi në mënyrë të përsëritur dhe duke gënjyer pohoi se të shtënat me armë në Sandy Hook, ku mbetën të vdekur 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur, ishte mashtrim.
Në gusht të vitit 2018 ai u ndalua nga Facebook, Spotify, Apple dhe YouTube./UBTNews/