Elon Musk prezantoi energjinë e qëndrueshme, implantet e trurit dhe eksplorimin e hapësirës në një artikull të botuar në një revistë kineze të drejtuar nga agjencia e mbikëqyrjes së internetit dhe censurës së vendit, sipas një përkthimi nga Yang Liu, një reporter për agjencinë shtetërore të shtypit kinez, Xinhua.
E formuar në vitin 2013, Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës (CAC) është përgjegjëse për krijimin dhe zbatimin e politikave që lidhen me përmbajtjen në internet, të dhënat e përdoruesit dhe sigurinë dixhitale. CAC më vonë krijoi një revistë që, sipas studiueses së lartë të Projektit Media në Kinë, Stella Chen, zakonisht përfshin njoftime rregullatore dhe kërkime mbi politikën e internetit. Revista fillimisht u quajt New Media para se të riemërohej si China Cyberspace në fillim të këtij viti.
Numri i korrikut i China Cyberspace përmban artikuj nga Musk dhe themeluesi i Ant Group, Eric Jing Xiandong, kompania që drejton shërbimin kinez të pagesave Alipay.
Musk thotë se ai u ftua nga revista për të ndarë “mendimet e tij mbi vizionin e teknologjisë dhe njerëzimit” dhe më pas vazhdon të përshkruajë dhe promovojë teknologjinë e përdorur nga kompanitë që zotëron – Tesla, SpaceX dhe Neuralink – që ai beson se mund “ndihmojë për të arritur një të ardhme më të mirë për njerëzimin”.
Ai thekson gjithashtu disa nga qëllimet e tij më të larta si shembuj të llojit të teknologjisë që kompanitë e tij mund të krijojnë, të tilla si një “qytet i vetëqëndrueshëm në Mars”.
Musk përmend gjithashtu humanoidin Tesla Bot që ende nuk është parë dhe sugjeron që njerëzit potencialisht mund të jenë në gjendje të blejnë një robot si dhuratë në “më pak se një dekadë”.
Në një postim në Twitter, Liu e quan artikullin një “lëvizje të zgjuar” në emër të Musk, pasi i lejon atij “të shfrytëzojë mundësinë për të shfaqur aftësitë teknologjike të kompanive të tij tek zyrtarët kinezë dhe publiku”.
Paraqitja e Musk në një botim të drejtuar nga CAC bie ndesh me avokimin e tij të hapur për fjalën e lirë, pikërisht konceptin që frymëzoi vendimin e tij për të blerë Twitter. Gjatë viteve, CAC ka zbatuar një sërë politikash të dizajnuara për të censuruar dhe kufizuar fjalimin në internet. Ligji për sigurinë kibernetike të CAC, për shembull, kërkon që platformat sociale të heqin përmbajtjen që përmban “informacion të ndaluar”, ose përndryshe të përballen me ndëshkim nga CAC./UBTNews/