Stafi aktual i Twitter-it dhe disa nga ata që e kanë lënë kompaninë, kanë folur rreth një vendi pune të ç’organizuar, duke thënë se pronari Elon Musk ka truproja që e shoqërojnë atë edhe në banjë, thuhet në një raport.
Një inxhinier i tha BBC-së se gjërat mund të duken bukur nga jashtë, por “për dikë brenda, duket sikurse një ndërtesë ku të gjitha pjesët janë në flakë”.
“Kur e shikoni atë nga jashtë, fasada duket mirë, por unë shoh që asgjë nuk po funksionon. I gjithë hidrauliku është thyer, të gjitha rubinetat, gjithçka”, shtoi ai.
Inxhinieri, i cili zgjodhi të mbetet anonim, i tha mediumit se “askush nuk po kujdeset” për punën që më parë ishte bërë për të kufizuar ngacmimet në këtë platformë.
Urrejtja është përhapur, ngacmimet janë në rritje për shkak se profilet mizogjeniste dhe abuzive po përjetojnë rritje të ndjekësve me 69%, thuhet në po këtë raport. Madje thuhet se edhe të mbijetuarit e përdhunimit janë në shënjestër qëkur Musk erdhi në krye të Twitter-it./UBTNews/