UBT News

Musk i jep një mbështetje të madhe Alice Weidel në Gjermani

Elon Musk ka shprehur mbështetje të fuqishme për Alice Weidel, kandidatin për kancelare të partisë AfD në Gjermani, duke deklaruar se vetëm AfD-ja mund të shpëtojë vendin. Pas këtij komenti, Musk dhe Weidel do të zhvillojnë një bisedë të drejtpërdrejtë të enjten në mbrëmje në platformën X (ish-Twitter), për të diskutuar situatën politike në Gjermani, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 shkurtit. Biseda do të fokusohet edhe në çështjen e lirisë së shprehjes dhe do të mund të ndiqet drejtpërdrejt nga audienca virtuale.

Musk, që është këshilltar i ngushtë i presidentit të ardhshëm të SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur hapur mbështetje për AfD-në dhe politikat e saj populiste të djathta. Ai theksoi se “Alternativa për Gjermaninë” është e vetmja mundësi për të nxjerrë vendin nga gjendja e tij aktuale mesatare, duke shtuar se është koha për “ndryshime të guximshme”. Sipas Musk, AfD-ja mund të jetë forcë e nevojshme për të ndryshuar rrugën e Gjermanisë dhe për t’i dhënë fund ndikimit të së kaluarës.

Takimi i Musk dhe Weidel do të zhvillohet në anglisht, dhe do të lejojë gjithashtu pyetje nga audienca./UBTNews/

 

Exit mobile version