Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, strategjinë për skemat sociale dhe pensionale si dhe planet për këtë fushë. Por kritika për këtë dhanë partitë opozitare. Murati tha se janë duke punuar me Bankën Botërore në njësinë e pilotimit dhe në ligjin për skemën sociale, e që sipas tij është drejt përfundimit.
Sa i përket skemave pensionale, Murati tha se Ministria synon që këtë vit të adresojë çështjen e skemave pensionale të moshës, që ka të bëjë me pensionet bazike dhe të kontributeve.
“Në Kuvend është ratifikuar marrëveshja me Bankën Botërore dhe në këtë aspekt ne kemi filluar punën. Megjithëse, një vit e gjysmë vonesë nga nënshkrimi, jemi falënderues për mbështetjen e asaj marrëveshjeje. Tani kur jemi në këtë fazë, është bërë njësia implementuese e projektit dhe është duke u punuar, pra është përzgjedhur koordinatori dhe stafi tjetër esencial dhe jemi duke punuar në bashkëpunim me Bankën Botërore për pilotimin.”, tha Murati.
Me këtë rast, Murati tha se përmes ligjit në të cilin janë duke punuar, do të hiqen kriteret diskriminuese që kanë qenë deri tani.
“Ligji është drejt finalizimit për skemat apo mbështetjen sociale, dhe do ta kemi shumë shpejt para jush. Ligji parasheh heqjen e kritereve diskriminuese siç kanë qenë në kategori, ose me ligjin ekzistues janë dy kategori. Njëra është që vetëm familjet që kanë fëmijë nën moshën pesëvjeçare mund të përfitojnë, është si kriter diskriminues. Kurse kriteri tjetër është se nëse nuk plotësojnë kriterin e një fëmijë nën moshën pesëvjeçare i bie që askush nga familjet mos të jetë i aftë për punë”, tha ai.
Kritika për punën e bërë deri tani në skemat sociale dhe pensionale pati deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
”Keni premtuar ristrukturimin e skemave social dhe pensionale për të ulur varfërinë, por ky projektligj për skemat sociale dhe pensionale prej vitit 2021 vazhdon të bartet në çdo program legjislativ të qeverisë. Me ligjin për pagën minimale keni diskriminuar, veteranet, pensionistët e Trepçës, paraplegjikët, të verbëritë dhe tetraplegjikët, si do ta evitoni këtë pabarazi dhe diskriminim ndaj këtyre kategorive, a mund këto kategori të udhëheqjeve familjen me 170 euro, pasi me këtë shumë nuk ju dalin të blejnë barna për vete”, theksoi ai.
Mostrajtim adekuat të skemave pensionale tha se ka pasur edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
”E keni shndërruarr këtë në një sektor të shpërndarjes së parasë publike, njëfarë lëmoshe për gjithë këto kategori. Nga paaftësia për të shpenzuar buxhetin në projekte kapitale, ju i falet nga 100 euro për disa kategori, pa selektim të qytetarëve në nevojë”, shtoi ai.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj kërkoi bashkërendim të veprimeve sa i përket skemave sociale
”Sa pensionistë kanë fituar me reformën që e keni bërë në skemat pensionale?. Unë kam informata se plotë prej tyre kanë mbetur jashtë për arsye të ndryshme. Janë në pyetje disa udhëzime administrative që keni premtuar se do të ndërrohen por nuk është bërë.”, shtoi ai.
Ministri Murati duke ju përgjigjur kritikave të opozitës, tha se një pjesë e madhe e premtimeve janë duke i realizuar, por që sipas tij të gjitha nuk mund të realizohen në vitin e parë.
Reformë të skemave sociale kërkuan edhe deputetë të mazhorancës.