Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se janë ekzekutuar mjetet prej 100 euro për punëtorët e sektorit publik. Ndërsa për ata të sektorit privat do të nevojitet pak më shumë.
Përmes një konference për medie, Murati ka thënë se afati për aplikim për punëtorët e sektorit privat është ende i hapur dhe se pas javës së ardhshme do të formohet komisioni shqyrtues.
“Sot gjatë ditës kemi nënshkruar marrëveshje me 39 organizata të cilat veprimtari kanë shpërndarjen e pakove ushqimore. Ka qenë masa 3.4 për të cilën kemi bërë shpalljen dhe janë kualifikuar këto 39 organizata ku gjithsej të cilat do të shpërndaj 34,000 pako ushqimore në vlerë 1,7 milion euro”, ka thënë Murati.
Mbështetja do të jetë: pako ushqimore deri në 50 euro për familje, derisa, së paku 70% e vlerës së pakos do të jetë me produkte vendore. Ai ka përmendur edhe shpërndarjen e 100 eurove shtesë për rreth 280 mijë pensionistë, dyfishimin e skemës sociale për 26 mijë familje dhe po ashtu ekzekutimin e shtesës prej 100 euro për pagat e sektorit publik, për rreth 80 mijë zyrtarë publikë.
Murati ka përmendur edhe pagën minimale, duke thënë se Ligji për plotësim-ndryshimi e Ligjeve që mundëojnë rritjen e pagës minimale do të hidhet në votim në seancën e 5 majit.