UBT News

Murati takohet me zëvendëspresidenten e BEI, zotohen për thellim të bashkëpunimit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati takoi sot zëvendëspresidenten e Bankës Evropiane për Investime (BEI), Liliana Pavlova dhe një delegacion të bankës, në premisat qendrore të BEI në Luksemburg.

Në një komunikatë për medie thuhet se ministri Murati vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen që Banka Evropiane për Investime i ka dhënë Republikës së Kosovës.

Zëvendëspresidentja e BEI, Lilyana Pavlova e vlerësoi vizitën e delegacionit kosovar dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës. Synimi i përbashkët i të dy palëve është që të rritet mbështetja financiare dhe teknike duke vepruar në linjë me Agjendën e Gjelbër dhe Digjitale të Bashkimit Evropian.

Ministri Murati gjatë këtij takimi tha se “shteti i Kosovës është fokusuar në zvogëlimin e ndikimit të pandemisë si dhe në ringjalljen ekonomike, andaj mirëpresim Planin Ekonomik dhe Investiv të BE-së i cili synon zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor”.

Bëhet e ditur se të dy palët u zotuan të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që të konsolidojnë hapa të suksesshëm drejt agjendës së përbashkët të zhvillimit.

Gjatë periudhës së pandemisë, BEI ka ndihmuar Kosovën me 70 milionë euro, në funksion të rimëkëmbjes së qëndrueshme pas situatës pandemike. 

Exit mobile version