Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, i cili mundëson rritjen e pagave në sektorin publik, në bazë të vlerës së koeficientit 105 euro.
Para komisionit, Projektligjin e arsyetoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili sqaroi edhe çështjen e shtesave të punëtorëve në sektorin publik në bazë të Ligjit për Paga.
Ministri Murati theksoi se 105 euro është koeficienti i pastër, teksa kjo vlerë sipas tij shkon më lartë për ata që kanë përvojë pune.
Për ata që kanë dhjetë vjet përvojë pune, Murati tha se shtesa e përvojës së punës është 2.5 për qind, apo koeficienti përkthehet në 107.6 euro, për ata 20 vjet koeficienti i bie të jetë 111,6 euro, për ata me 30 vjet, koeficienti do të jetë 116.8 euro, teksa koeficienti më i lartë është për ata me 40 vjet përvojë pune, që koeficienti përkthehet në 122 euro.
“Shpeshherë kur po bëhen krahasime, po bëhen krahasime të pagës bruto me të gjitha shtesat që është aktuale me vetëm pagën bazë bruto. Natyrisht ky është krahasim i pasaktë për shkak se nuk është krahasimi i njëjtë. Psh nëse e marrim vetëm shtesën e përvojës së punës tani që llogaritet mbi pagën bazë dhe nëse do ta transferoni në koeficient, ta zëmë nëse dikush ka përvojë pune 0 vite, e ka vetëm koeficientin e pastër bazë 105. Por, nëse dikush do të kishte 10 vite përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 2.5 përqind ose nëse shumëzohet me koeficient do të dilte 107.6 koeficienti. Nëse do të kishte 20 vjet përvojë pune, shtesa për përvojën e punës për 20 vite është 6.25 përqind apo koeficienti do të përkthehej në 111.6 ose nëse shkojmë deri në 40 vjet përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 16.25 përqind ose nëse do të shumëzohej me koeficientin, do të kishim një koeficient 122. Pra dikush me 40 vjet përvojë pune, normalisht paguhet më shumë si rezultat i shtesës së përvojës dhe kjo është vetëm njëra nga shtesat që është shtesë universal. Për 30 vite, është 11.25 për qind që i bie nëse përkthehet te vlera e koeficientit, shumëzohet është 116.8 apo afërsisht 117”, tha ai.
Krahas kësaj, shefi i kuletës së shtetit, nënvizoi se rritja e sivjetme e pagave në sektorin publik është enorme dhe se këso rritje nga viti në vit nuk ka pasur në asnjë vit paraprak.
“Si përqindje po, por edhe si vlerë absolute nëse e marrim edhe nëse shkojmë vite tutje prapa. Shifra prej 105 milionë euro nuk paraqitet të ketë pasur rritje nga vitit në vit në asnjë prej viteve paraprake. Pra kjo është një rritje enorme”, shtoi Murati.
Por atij i reagoi anëtari i komisionit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili ishte edhe i vetmi nga opozita që mori pjesë në këtë mbledhje.
Ai kritikoi Muratin, siç tha për zvogëlim të pagave në sektorin e drejtësisë, profesorëve universitar dhe administratës së Kuvendit. Sipas tij, koeficienti i vlerës së pagës në sektorin publik duhet të jetë 130 euro.
“Administratës së Kuvendit i keni zvogëluar pagat rreth 40 për qind. Nuk e di a keni këtu inati politike brenda partisë që me goditë sektorin ku punon një udhëheqë të juaj siç është Glaku si kryetar i Kuvendit, apo e keni bërë vetëm për t’iu hakmarrë administratës, e kjo është tallje për mendimin tim”, theksoi ai.
Në anën tjetër, anëtari i komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korencia, ngriti si shqetësim hendekun e madh që po krijohet mes sektorit privat dhe atij publik.
“Shqetësimi im kryesor është sektori privat. Me këtë po krijohet një hendek jashtëzakonisht i madh dhe nuk po krijojmë konkureshmëri në treg”, tha ai.
Me këtë konstatim u pajtua edhe ministri Murati, por tha se nëse vlera e koeficientit do të bëhej 130, siç po kërkon opozita, atëherë mesatarja e pagës në sektorin publik do të ishte 900 euro, apo dyfish më shumë se sektori privat.
“Kjo flet shumë për kërkesat që partitë opozitare kanë kur thonë se koeficienti duhet të shkojë në 120 apo 130 euro. Psh me një koeficienti 130 siç propozojë deputeti Lushatku apo PDK-ja, paga mesatare në sektorin publik do të shkonte në 900 euro. Më shumë se dyfishi i pagës në sektorin privat dhe ku do të merreshin këto para, ato do të merreshin në sektorin privat”, tha ai.
Ai përsëriti sërish se mesatarja e pagës në sektorin publik gjatë këtij vitit është 730 euro.