Ministri i Financave, Hekuran Murati ka theksuar se rritja e kreditimit në ekonomi për ekonomistët nënkupton ekonomi të shëndoshë.
I pyetur nga gazetarët nëse është shtuar varfëria si shkak i rritjes së kredisë, ai ka thënë se kur ekonomia është keq bankat hezitojnë të lëshojnë kredi, sepse nuk janë të sigurta nëse personi që e merr mund ta kthejë.
“Kreditimi i sektorit privat dhe ekonomive familjare është një çështje e sektorit privat. Normalisht bankat bëjnë vlerësimet kreditore kur lëshojnë kredit, dhe rritja e kreditimit në fakt në ekonomi, për gjithë ekonomistet nënkupton ekonomi të shëndoshë. Kur ekonomia është keq bankat hezitojnë të lëshojnë kredi sepse nuk janë të sigurt se nëse personi që merr kredi mund ta kthej. Ndërkaq kur ekonomia është mirë dhe ka rritje dhe ka shpresë për rritje të mëtutjeshme bankat janë më dorë lirë për të lëshuar kredi sepse janë më të sigurt që gjasat që kredia të kthehet është shumë me e lartë”, tha Murati.
Këtë deklaratë ministri Hekuran Murati e ka bërë në një konferencë për media të mbajtur bashkë me kryeministrin, Albin Kurti, në të cilën njoftuan për rritjen e skemave për fëmijët.