Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati iu është drejtuar partive opozitare duke thënë se reduktime të energjisë elektrike ka pasur vit për vit, por që atë kohë nuk ishte Lëvizja Vetëvendosje në qeverisje dhe se reduktimet kryesisht kishin ndodhur në pjesët rurale për të cilat nuk janë brengosur deputetët.
Këto komente Murati i bëri gjatë seancës ku po diskutohet për krizën energjetike.
“Reduktime ka pasur vit pas viti për deputetin Abdixhiku. Mund të jetë ndoshta i ri në Kuvend dhe në subjektin e LDK-së, por ka qenë pikërisht deputeti nga LDK, kryesuesi i Komisionit Hetimor Parlamentar për reduktimet e energjisë elektrike, deputeti Muhamet Musafa që ka bërë komision hetimor për këtë çështje dhe ka ardhur në përfundimin që ka pasur reduktime të paligjshme nga ana e operatorit. Reduktime ka pasur çdo vit vetëm se dallimi ka qenë që atëherë nuk ka qenë Lëvizja Vetëvendosje në qeveri dhe nuk është sulmuar qeveria, dhe e dyta, reduktimet kryesisht janë bërë në zona rurale për të cilat nuk është se janë brengosur fort deputetët e Kuvendit apo politikanët që janë në opozitë“, theksoi ai.
Për blerjen e energjisë eletrike më herët Murati u shpreh se kjo i takon KESCO-s.
“Furnizuesi, licenca e furnizuesi e ka KESCO të cilin ju e keni shitur sepse kur e keni shitur keni thënë se këta menaxhojnë më mirë apo jo? A keni thënë se këta e menaxhojnë më mirë sepse janë privat e tash privat me licencën që e ka është dashur me u përkujdes edhe për blerje të energjisë. Sa i përket blerjes së energjisë dhe sigurimit të çmimeve më të favorshme dhe më pak të favorshme unë dyshoj që ndonjëri këtu e ka ekspertizën e nevojshme me na treguar përtej dijes anektodale se si funksionon bursa dhe çmimet energjetike”, theksoi ai.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i është kundërpërgjigjur Muratit duke i thënë se ai bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk po i dinë gjërat bazike.