UBT News

Murati reagon ndaj opozitës: Po përmendni shifra të pasakta

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati duke iu kundërpërgjigjur kritikave të deputetëve opozitar u shpreh se ekzekutimi i buxhetit për investime kapitale vitin e kaluar ka qenë në nivelin 60 për qind.

Sipas tij, vazhdimisht në mënyrë të papërgjegjshme po përmenden shifra të pasakta.

“Po përmenden në vazhdimësi shifra të pasakta me një papërgjegjshmëri të hatashme. Investimet kapitale vitin e kaluar ekzekutimi i buxhetit ka qenë në nivelin 60 për qind të asaj që është buxhetuar. Nëse e marrim në raport me GDP-në është 5 për qind brenda normës së rajonit që varion 4 deri 7 për qind dhe normalisht që do të donit të ishte më e lartë, por ka pasur probleme siç e kemi theksuar tash e sa kohë me shpronësime e probleme kontraktuale të cilat kontrata është dashur të shkëputën, rinovohen apo ritenderohen si projekte. U tha inflacionit sipas Bankës Botërore na paska qenë 20%, inflacioni në vitin e kaluar për tërë vitin mesatarja është 11.6%, mos shpërndani dezinformata apo lajme të pavërteta” , tha ai.

Më pas replikoi, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i cili tha se shifrat që po i paraqesin nuk janë dëshirore.

“Këto çka po i paraqesim nuk janë dëshirore, mos mendo as ti as çdo kush që është pjesë e kësaj qeverie se çdo qytetar apo deputet qoftë edhe ministër do të ndihej mirë me ikjen e të rinjve në nivel alarmant, nuk e di a janë 100 mijë e 99 e 99, por nga 50 mijë e 40 mijë brenda viteve janë duke lëshuar Kosovën dhe ky është fakt jo dëshirë. Inflacionit si Bankës Botërore e keni vegzën, ta dërgoj ku në qershor ka thënë është 19.2% afër 20 atë që e thash 5% sesa Enti i Statistikave që e ka paraqitur”, theksoi ai.

Ndërsa, pas tri orësh debat parlamentar, ka përfunduar interpelanca e ftuar nga AAK për raportim të ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati.

Exit mobile version