Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kërkuar nga opozita që të reflektojë dhe të përmbushë detyrimin kushtetues për të votuar në seancat parlamentare.
Ai tha se gjatë më shumë se 20 seancave të fundit, opozita nuk ka ushtruar të drejtën e votës, duke mos shprehur vullnetin e lirë as për apo kundër çështjeve që diskutohen.
“Janë mbi 20 seanca që opozita nuk voton, duke mos ushtruar vullnetin e tyre të lirë as për apo kundër. Presim që opozita të reflektojë dhe të përmbushë obligimin kushtetues që është votimi. Siç e dini, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që deputetët janë të detyruar të votojnë në seancën konstituive. Vullneti i tyre i lirë mund të jetë që të votojnë kundër apo të abstenojnë, por vota duhet të jepet. Megjithatë, kemi tashmë mbi 20 seanca që deputetët e opozitës nuk votojnë dhe nuk ushtrojnë këtë detyrim kushtetues”, tha Murati.