Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se nuk do të ketë nevojë më për vërtetim të tatimit në pronë që të regjistrohet vetura.
Përmes një shkrimi në Facebook ministri njoftoi se sot ka nisur për në Qeveri Projekt-Rregulloren mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë.
“Nuk do të ketë më nevojë për vërtetim të tatimit në pronë që të regjistrohet vetura. Sot kam nisur për në Qeveri Projekt-Rregulloren mbi Pezullimin e Shërbimeve Komunale për Mbledhjen e Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë. Me anë të kësaj rregulloreje përcaktohen shërbimet që mund të pezullohen nga komuna, në rast se pala ka detyrime të papaguara të tatimit në pronë. Aktualisht, për të regjistruar një veturë, pronari i veturës kërkohet që të nxjerrë edhe vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë. Kurse me projekt-rregulloren e re, pas miratimit të saj në qeveri, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën”, ka shkruar ministri Murati./UBTNews