UBT News

Murati: Ligji për TVSh-në është në procesin e përditësimit, pritet të përfundojë gjatë këtij viti

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ligji për TVSh-në është në procesin e përditësimit dhe se grupet punuese janë duke punuar që deri në fund të këtij viti të jetë ligji i ri, i cili do të marrë parasysh kërkesat, nevojat, përshtatjen me trendet.

Në konferencën për media të mbajtur të hënën nga Dogana e Kosovës në të cilën u prezantuan “lehtësirat e krijuara”, Murati theksoi se si Qeveri janë të përkushtuar të ndihmojnë bizneset në të bërit tregti.

“Për të mbështetur edhe prodhuesit vendor në tetorin e vitit të kaluar kemi miratuar edhe lirimin nga taksa doganore për disa prej lëndëve e gjithashtu edhe për pjesët rezervë të makinerive prodhuese ashtu që ta kenë më të lehtë të shtojnë vlerë në vendin tonë. Edhe ligji për TVSh-në është në procesin e përditësimit, tashmë kemi grupet punuese dhe jemi duke punuar që deri në fund të këtij viti ta kemi një ligj të ri i cili do të marrë parasysh kërkesat, nevojat, përshtatjen me trendët por gjithashtu edhe mbështetjen për bizneset dhe prodhuesit vendor”, tha ai.

Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i DK-së, Agron Llugaliu tha se arritjet në këtë institucion do të ishin të pamundura pa partnerët e sektorit privat. Lluagliu derisa tha se ka rritje të te hyrave, ka theksuar se ka rritje të eksportit në sasi, mirëpo rënie në vlerë, për çfarë ka përmendur edhe faktorët që kanë ndikuar.

“Eksportin kemi vërejtur qe kemi pas rritje në sasi për 3 për qind, ndërsa në vlera vërehet që ka rënie. Tregjet globale kanë qenë të ndryshueshëm, tek rryma si kërkesë që ka qenë eksport, kemi rënie prej 40 milion kur e krahasojmë me vitin 2023, në vitin 2022 ka qenë kërkesë e madhe. Përndryshe të gjitha industritë tjera shohim qe e kanë ndryshuar gamën e eksporteve. Sa i përket lehtësirave kemi pas një qasje për të adresuar në gamë të përgjithshme, kemi punuar më shumë sa i përket menaxhimit të rriskur si dhe avancimit të sistemit, por edhe në llogaridhënieve. Nga kjo pasqyrë vërejmë se vit për vit, numri i kërkesave në tregtinë e jahstme rritet me 10 për qind derisa kapacitetet mbesin të njëjta”, tha Llugaliu.

Exit mobile version