UBT News

Murati: LDK po e bllokon Kuvendin dhe buxhetin për Prishtinën – Rama ka nënshkruar kontrata pa mbulesë buxhetore

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe vonimin e ndryshim-plotësimit të Ligjit për Buxhetin, nga i cili varen edhe financat e tri komunave që nuk i kanë miratuar buxhetet brenda afateve ligjore – përfshirë edhe Komunën e Prishtinës.

Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se për shkak të pamundësisë për konstituim të Kuvendit, nuk është miratuar ende ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për vitin 2025, i cili do të mundësonte futjen në fuqi të buxheteve të këtyre komunave.

Për shkak se opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, ka mbetur pezull edhe ndryshim-plotësimi i Ligjit të Buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore – pra buxhetet komunale janë miratuar në asambletë përkatëse tek pas votimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend dhe kësisoj ato buxhete ende nuk janë në fuqi,” ka shkruar Murati.

Sipas tij, njëra nga këto komuna është edhe Prishtina. Murati tha se kryetari Përparim Rama po e drejton kritiken në adresë të gabuar, pasi vonesat burojnë pikërisht nga bllokimi i Kuvendit nga partia që ai përfaqëson.

Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse,” tha ai.

Në vazhdim të reagimit të tij, Murati akuzoi kryetarin e Prishtinës dhe LDK-në se kanë vazhduar me nënshkrime kontratash dhe shpallje tenderësh pa buxhet të miratuar, gjë që sipas tij përbën shkelje të ligjeve në fuqi.

Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese, në stilin ‘aksham-pazar’, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik,” ka deklaruar Murati.

Ministri në detyrë përfundoi reagimin e tij duke thënë se për këto veprime, sipas tij të paligjshme, prokuroria do duhej të ishte aktivizuar më herët.

Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre,” përfundoi ai.

Exit mobile version