Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila përmes një statusi hodhi dilema mbi shifrën e punësimeve të reja të ofruara nga kryeministri Albin Kurti.
Në shkrimin e tij, Murati vlerësoi se deputetja Bajrami ka “shpërfaqur mungesën e njohurive të veta për temën” dhe se ka “konfirmuar atë çfarë ka thënë kryeministri”. Sipas Muratit, ka rritje të punësimit.
“Deputetja Bajrami qenka mundu me e demantu Kryeministrin për shifrat e punësimit, por në fakt krejt çfarë paska arritur të bëjë është që së pari t’a shpërfaqë mungesën e njohurive të veta për temën në fjalë, dhe së dyti, edhe me të dhënat që vetë deputetja ka përdorur në fakt e ka konfirmuar atë çfarë ka thënë Kryeministri, pra që ka rritje të punësimit”, ka shkruar ai.
“Për fund, është për keqardhje që deputetë që mbulojnë fushën e ekonomisë, e madje edhe ligjërojnë në universitet, kanë njohuri kaq të cekëta për fushën”, ka shkruar tutje Murati.