Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se Kosova po përpiqet që përmes dialogut në Bruksel të arrijnë marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Kjo përgjigje e Muratit vjen pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill i cili tha se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian pasi sipas tij evropianët po kërkojnë vetëm normalizim.
“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne vazhdojmë punën”, është përgjigjur Murati.
Ndërsa Bashkimi Evropian pas deklaratës së ambasadorit Hill tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.