Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Ai tha se dje ka dorëzuar qarkoren e dytë për buxhetin komunal për vitin 2024, e cila parasheh që buxheti i komunave të rritet në 742.3 milionë euro.
“Po bëhet tashmë viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute, buxheti i vitit 2024 rritet për gati 90 milionë euro krahasuar me vitin 2023. Kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë. Suksesi Qeverisë në menaxhimin më të mirë të financave publike dhe në mbledhjen e të hyrave përkthehet në buxhet më të lartë për komunat”, ka shkruar Murati në Facebook.