Ministri i ekonomisë, Hekuran Murati ka deklaruar se është miratuar vendimi që buxheti prej afro 12 milionë eurosh nga katër komunat e Veriut do ti transferohet KOSTT-it për shlyerje të borxhit. Sipas tij borxhi duhet paguar.
“Energjia elektrike e shpenzuar është borxh, dhe borxhi duhet paguar. Andaj me vendimin që morëm sot në mbledhje të Qeverisë, do të merret buxheti i katër komunave në veri të vendit, dhe do të shfrytëzohet për të paguar një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it që është akumuluar nga devijimet deri më tani. Shuma totale prej 11,880,246.33 euro, përfshirë edhe mjetet e alokuara të Fondit Zhvillimor në Mirëbesim, merret nga katër komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe i transferohet KOSTT-it për të paguar një pjesë të borxhit për energjinë e shpenzuar”, ka shkruar mes tjerash Murati.