Për shkak të mungesës së avokates Teuta Zhinipotoku, e cila mbron ish-deputetin Ismajl Kurteshi, është shtyrë seanca e paraparë për të enjten në rastin ku së bashku me këtë të fundit po akuzohet edhe ish-deputeti Haxhi Shala.
Të dy këta po akuzohen se kishin hedhur gaz lotsjellës në një seancë të Kuvendit të mbajtur më 30 nëntor 2015, si dhe kishin penguar Policinë gjatë kohës kur kjo e fundit po mundohej të shoqëronte në Polici, Albin Kurtin, cili atë kohë kishte qenë deputet.
Për shkak të mungesës së avokates Zhinipotoku, i akuzuari Kurteshi ka kërkuar shtyrjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.Propozimin e tij nuk e kundërshtoi prokurori Menduhi Kastrati, e më pas e aprovoi edhe gjykatësi Eroll Gashi.
Në këto rrethana, seanca e së enjtes u shty për 24 shtator 2021, në ora 09:30, gjatë së cilës pritet të bëhet administrimi i provave.Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishte edhe i akuzuari Shala me mbrojtësin e tij, avokatin Naser Sopjani.Ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se me datë 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim
.Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375 par.1 të KPRK-së.
Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në Polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.
Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi