UBT News

Mungojnë dy akuzuar, dështon seanca për falsifikim të rezultateve të votimit

Për shkak të mungesës së të akuzuarve Arbër Krasniqi dhe Përparim Përvetica, ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku bashkë me Krasniqin e Përveticën po akuzohen edhe Sahit Mataj dhe Ilirjan Hysenaj.

Të akuzuarit ngarkohen për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në mungesë të dy të akuzuarve, gjykatësi Vesel Ismaili tha se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës, andaj u shty për një datë tjetër.

Ndryshe, më 13 nëntor 2023 gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Prandaj ndaj Halilajt më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit duke u dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, kurse ndaj Gashit ende nuk është bërë shpallja e aktgjykimit.

Kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, po vazhdon procesi gjyqësor. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata ka veçuar procedurën për ish-deputetin Haxhi Shala.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.

Exit mobile version