Në mungesë të deputetëve ka dështuar seanca plenare ku do të diskutohej për tri vjet qeverisje. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se të pranishëm janë vetëm 40 deputetë dhe si e tillë seanca nuk mund të vijojë pa prezencën e 61 deputetëve.
Kjo seancë është ftuar me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se janë dakorduar edhe me grupet tjera parlamentare që ky debat të vendoset në një datë tjetër.
“GP i AAK-së tash e tre muaj ka vendosur në kryesi të kuvendit një kërkesë për një debat për tri vjet qeverisje. Në diskutim edhe me grupet parlamentare edhe në mungesë të deputetëve, një temë kaq e rëndësishme që do të jetë një ballafaqim i vërtetë mes opozitës në mes të neve si grup dhe kryeministrit, nuk do të duhej që do të ndodhë pa një dakordim të plot dhe pa pjesëmarrjen të deputetëve. Andaj në mungesë të deputetëve, në dakordim edhe me grupet parlamentare po e shtyjmë këtë debat në kryesi vendosim për datën”, tha ai.
Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca u shpreh se debati parlamentar për tri vjet qeverisje do të vendoset në kryesi për një datë tjetër.
“Merremi vesh në një rast tjetër që kur ka gatishmëri më të madhe të deputetëve, vërtetë nuk do të ishte mirë që kjo seancë të ndodhte me 40 deputetë të pranishëm. Është pa përgjegjësi me prit shumë gjatë, kështu që pritem boll, rreth 40 minuta e ndërprejmë këtë seancë. Duhet me 61 deputetë të zhvillohet seancë. Atëherë merremi vesh për një datë tjetër kur do të ketë kohë kryeministri një datë tjetër, atëherë vijmë në kuvend”, deklaroi Konjufca.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon që përmes një rezolute qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje ose me mocion për shkarkim e që më pas të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.