Magnezi është një mineral jetik që merr pjesë në mbi 300 procese të rëndësishme në organizmin e njeriut, nga funksionimi i duhur i muskujve dhe nervave, deri te shëndeti i zemrës dhe forcimi i kockave.
Megjithëse është thelbësor për trupin, studimet tregojnë se rreth 15 deri në 20 për qind e njerëzve, madje edhe në vendet më të zhvilluara, nuk marrin sasinë e nevojshme të magnezit.
Shumë persona nuk e vërejnë mungesën deri në momentin kur simptomat bëhen më serioze dhe fillojnë të ndikojnë në jetën e përditshme.
Dhimbje dhe dridhje muskulore
Nëse ndjeni shpesh krampa a dridhje në muskuj, veçanërisht në këmbë, pulpa a qepalla, kjo mund të jetë shenjë e mungesës së magnezit. Ky mineral ndihmon në balancimin e kalciumit dhe siguron që muskujt të tkurren dhe relaksohen siç duhet. Kur mungon magnezi, muskujt mund të reagojnë me spazma të pavullnetshme dhe të dhimbshme.
Lodhje e vazhdueshme
Nëse ndiheni të lodhur vazhdimisht, edhe pse flini mjaftueshëm, shkaku mund të jetë mungesa e magnezit. Ai luan rol kyç në prodhimin e energjisë nga ushqimi që konsumojmë. Pa mjaftueshëm magnez, trupi prodhon energji më ngadalë, gjë që çon në ndjesi rraskapitjeje.
Rrahje të parregullta të zemrës
Mungesa mund të ndikojë në ritmin e zemrës, nëse ndjeni që ju rreh shpejt ose ngadalë mund të bëhet fjalë për aritmi. Meqë magnezi ndihmon në rregullimin e impulseve elektrike të zemrës, mungesa mund të shkaktojë çrregullime të rrezikshme. Nëse përjetoni këto simptoma, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun.
Humbje oreksi dhe ndjesi të përziera
Rënie e papritur e oreksit, shoqëruar me të përziera apo edhe të vjella, mund të jenë shenja të tjera paralajmëruese. Këto simptoma lidhen me lodhjen apo stresin, por në fakt mund të tregojnë mungesë të magnezit që ndikon në metabolizëm dhe prodhimin e energjisë.
Luhatje humori dhe ankth
Magnezi është i rëndësishëm për funksionin e trurit dhe ekuilibrin emocional, mungesa e tij sjellë nervozizëm, ankth apo depresion, pasi ndikon në prodhimin e hormoneve dhe neurotransmetuesve që rregullojnë humorin. Për pasojë, personi bëhet më i ndjeshëm ndaj stresit dhe më pak i qëndrueshëm emocionalisht. /A.Z/UBT News/